Pas naftëtarve edhe minatort e Bulqizës bojkotojnë punën, pasi kanë disa muaj pa marë rrogat. Qeveria hesht

0
25

Kriza e kromit, dhjetra minatorë në Bulqizë të papaguar prej muajsh bojkotojnë punën

Minatorët e Bulqizës

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës denoncoi të martën gjendjen në galeritë e kromit në Bulqizë e Batër, ndërsa tha se dhjetra minatorë kishin bojkotuar punën pasi kishin muaj pa u paguar.

Një situatë e ngjashme është krijuar prej muajsh për naftëtarët në Ballsh. Prej 20 ditësh 10 punonjëse të rafinerisë janë në grevë urie, pasi kërkojnë paga të prapambetura dhe rifillimin e punës. Qeveria ka refuzuar të negociojë deri sa ato të lënë grevën e urisë.

Dhjetra punëtorë në disa kompani minerare në Bulqizë, kanë bojkotuar punën në galeri që prej ditës së hënë. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës bëri me dije, pa përmendur emrat e kompanive, se minatorët e një pjesë të madhe të shfrytëzuesve të kromit në zonën D dhe në zonën e Batrës, kishin muaj që nuk paguheshin.

“Në një pjesë të madhe të minierave të Zonës D në Bulqizë, po ashtu edhe në disa miniera të Batrës, minatorët nuk paguhen prej muajsh. Pronarët justifikohen me rënien e çmimit të kromit, ndërkohë që punëtorët vazhdojnë të punojnë, kromi vazhdon të dalë prej nëntokës, të transportohet drejt Portit të Durrësit dhe të paguhen taksa për të. Të vetmit që nuk kanë marrë asgjë prej muajsh, edhe pse kanë derdhur djersë e gjak, janë minatorët!”, thuhet në reagimin e SMBB-së.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës denoncoi mos reagimin e qeverisë për situatën e krijuar.

“E vetmja gjë që kanë marrë minatorët, kanë qenë premtimet e llojit “pagat do dalin më datë 15”. Kur data shkon 15, atëherë “do dalin në datën 1”. Por pagat vazhdojnë të mos dalin prej muajsh në asnjërën prej datave, prandaj punëtorët sot e kanë bojkotuar sërish punën, si në çdo fillim muaji.”, thuhet në reagimin SMBB.

Kriza në sektorin e kromit, siç gjeti në një shkrim të gushtit të këtij viti, e lidhur me rënien e çmimit të mineralit në bursë dhe me mbetjen e tij stok në Bulqizë. Një zyrtarë i Inspektoriatit të Punës tha në atë kohë sipas  një organizatëS jo-fitimprurëse BIRN    se rreth 30 kompani minerare kishin probleme me pagat, por problemi duket se është thelluar në vijim.

Një minatorë i një prej kompanive që nuk ka paguar prej muajsh tha duke kërkuar të ishte anonim se nuk kishin më asnjë shpresë. “Këtu që prej fillimit të vitit na është nxi jeta për me marrë lekët e punës e djersës tonë. Një herë e nisën me vonesa e pastaj nuk na i dhanë hiç. Disa të rinj e lanë punën që nga qershori e korriku, një pjesë e vazhduam me idenë hënë… se do i marrim e hë… se do iki kriza. Por këtu mo shok ka marrë fund”, tha ai.

Ai tha se ishte pjesë e minatorëve që nuk kishin shkuar në punë që prej nëntorit. “Për ne mor shok, më keq nuk ka. Ta dish këtë gjë. Ne jemi me lista (borxhesh) deri në fyt”, tha ai, ndërsa shtoi se tashmë kishin lista edhe në farmaci për ilaçe.

Minatori tha se asnjë nga institucionet shtetërore nuk ishte interesuar. “Sa për shtet, s’e dimë se ka ka humb”, tha ai.

U mësua se një ndër kompanitë me probleme ishte “ALB-MI”. Administratori i saj në një bisedë telefonike pranoi problemin, por tha se do të shlyente detyrimet ndaj minatorëve në datën 10 nëntor.

Një përfaqësues i kompanisë  ‘Neku shpk’, e cila po ashtu u mësua të kishte probleme, refuzoi të fliste. Disa kompani të tjera me numër më të vogël punëtorësh nuk ishin të arritshme.

Një përfaqësues i një kompanie tjetër, për të cilën u mësua se kishte pasur probleme të ngjashme, tha se kompania i kishte paguar punëtorët dhe nuk kishte probleme. Personi që u prezantua në numrin e telefonit të vendosur në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si Xhaferr Kunxhi, tha se kriza ishte në të gjithë sektorin. “Vetëm ne kemi 30 mijë ton krom stok”, tha ai, ndërsa shtoi se shumica e kompanive kishin vetëm rojet në punë dhe se puna ishte ndaluar në shumicën e kompanive të zonës.

Në fillim të muajit shtator disa kompani me afro 100 të punësuar ndërprenë aktivitetin. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011. Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në qytet.

Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete. Një javë më parë, një inxhinier dhe dy punëtorë humbën jetën në galeritë e Selishtës në Dibër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here