Bardhi takohet me gratë sipërmarrëse në Elbasan: Ndryshimi me 25 prill për tregun e lirë me taksa të ulëta dhe qeveri miqësore

0
4

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Elbasanin, Gazment Bardhi u takua me disa gra sipërmarrëse, të cilat i shprehën shqetësimet e tyre për vështirësitë dhe barrën e madhe fiskale që kanë.

Njëra prej tyre drejton një fasoneri dhe shprehet se rritja e taksave e ka vështirësuar shumë aktivitetin. Ajo shton se rritja e pagës minimale e pashoqëruar nga qeveria me mbështetje ose lehtësime, i ka shtuar me 50% kostot e saj.

Bardhi u shpreh se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike për të gjithë bizneset do të ketë lehtësime përkrahje, duke ulur barrën e sigurimeve, çmimin e energjisë.

“E di që është e vështirë të bësh biznes në Shqipëri, aq më tepër nga një grua. Situata ka shkuar aty ku nuk mban më. Ka biznese që jo vetëm nuk fitojnë më, por dalin me humbje dhe e mbajnë aktivitetin për hir të investimeve të shumta që kanë bërë. Ne do të krijojmë një lehtësim të madh fiskal. Për biznesin e vogël do të jetë vetëm 0.5 përqind e xhiros dhe pulla në xham që tregon shlyerjen, do të mbajë larg tatimorët. Do të kemi për gjithë biznesin lehtësim dhe përkrahje, duke ulur barrën e sigurimeve, çmimin e energjisë. Do të ndalim për një vit sulmin e inspektorëve që lëshohen si hienat dhe përveç dëmit financiar, shkaktojnë edhe probleme psikologjike tek sipërmarrja”, u shpreh Bardhi.

Më tej Bardhi shtoi: “Humbja e vendeve të punës është një kosto për të gjithë, sepse ata që hidhen në rrugë, do të duhet të futen në skemat e ndihmës sociale”.

Një tjetër sipërmarrëse, Pranvera ka një dyqan të vogël fruta perimesh dhe shprehet se aty del vetëm sa për të mbajtur një person. Ankohet për taksat vendore dhe presionin e policisë bashkiake dhe nëse nxjerr një kuti jashtë shkojnë e i kërkojnë lekë.

Kanë rritur taksat dhe tarifat, kanë fryrë buxhetet po çfarë i kanë bërë paratë? Në rast se do i kthenin mbrapsht në shërbime, gjysma e së keqes, por i kanë bërë paga për punonjës që rrinë kot, por u duhen tani vende pune para zgjedhjeve”, u shpreh Bardhi.

Në përfundim drejtuesi politik i Partisë Demokratike u shpreh se duhet rezistencë edhe ditët që kanë mbetur, pasi me 25 Prill ndryshimi do të vijë, dhe biznesi e sipërmarrja do të kenë qeverinë në krah që do i mbështesë, duke sjellë rritjen e biznesit, rritjen e ekonomisë dhe zhdukjen e varfërisë në Elbasan e kudo.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here