Home Blog

Kontrolli i financave të qeverisjes vendore nga KLSH, Meta letër Gjykatës Kushtetuese: Ekziston rreziku që…

0

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit me shumicë votash ka rrëzuar kërkesën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 50 (pikat 1 dhe 2) të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Siç thuhet në letrën e kreut të shtetit, KLSH prej 3-vitesh kishte paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se neni 50 (pikat 1 dhe 2) i ligjit nr. 68/2017, që parashikon se, veprimtaria financiare dhe zbatimi i buxhetit vjetor të njësive të vetëqeverisjes vendore i nënshtrohet çdo vit auditimit të jashtëm si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë, “cenon veprimtarinë e KLSH-së dhe kompetencat e këtij organi të parashikuara nga neni 162-163 të Kushtetutës, duke e barazuar këtë institucion (KLSH-në) me veprimtarinë e audituesve të jashtëm privatë”.

Presidenti Meta thekson në letrën e tij se “ekziston rreziku që pushteti vendor duke përdorur dispozitën e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me argumentin fiktiv se “i duhet të auditohet çdo vit” dhe brenda një periudhe të caktuar, mund të aktivizojë menjëherë vetëkontrollin e veprimtarisë financiare me auditues të jashtëm (privatë), të cilët liçensohen e monitorohen nga qeveria, e cila realisht ka fuqi kontrolli e mbikëqyrjeje ndaj tyre”.

“Ky rrezik shtohet akoma edhe më shumë në kushtet kur siç dhe ju jeni në dijeni, pushteti qendror dhe ai vendor, zotërohet 100 % nga e njëjta forcë politike (Partia Socialiste), e cila përmes votimeve një partiake të realizuara në qershor 2019, de facto, ka emëruar të deleguarit e saj politikë si Kryetarë të Bashkive dhe të gjithë Këshillave Bashkiakë në vend, përmes një procesi antikushtetues votimesh, të realizuara pa garë, pa datë zgjedhjesh të caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës.

Kjo situatë ku ndodhet vendi, e që për më tepër rëndohet përmes zbatimit të nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, përmban në thelb rrezik të lartë për dëmtimin e interesave të shtetit, pasi mund të përdoret bashkarisht nga Qeveria dhe Kryetarët e Bashkive, që të sigurojnë prej audituesve të jashtëm privatë, Raporte Auditimi me rezultate fiktive për të mbuluar shkeljet e rënda që ata kanë kryer, apo edhe më keq, për të mbuluar veprimet kriminale të shpërdorimit të fondeve dhe pasurisë publike, që pushteti vendor në bashkëpunim me atë qendror, mund të ketë konsumuar në këto vite të fundit, duke shmangur kështu kontrollin nga KLSH dhe dhënien e llogarisë përballë organeve të drejtësisë”, thekson Meta.

LETRA E PLOTE

Lënda: Mbi antikushtetutshmërinë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për shfuqizimin e këtij neni.
Drejtuar: ZONJËS VITORE TUSHA
KRYETARE NË DETYRË E GJYKATËS KUSHTETUESE

ZONJËS ELSA TOSKA
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

ZONJËS MARSIDA XHAFERLLARI
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

ZONJËS FIONA PAPAJORGJI
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

ZONJËS SONILA BEJTJA
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

ZOTIT ALTIN BINAJ
ANËTAR I GJYKATËS KUSHTETUESE

ZOTIT PËRPARIM KALO
ANËTAR I GJYKATËS KUSHTETUESE
Tiranë

Për dijeni: KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT
Zonja Kryetare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese,

Zonja dhe zotërinj anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Nisur nga interesi i lartë publik që ka funksionimi në mënyrë të pavarur e të pandikuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që Kushtetuta e ka njohur si institucionin më të lartë që kontrollon përdorimin e financave publike, ndihem i detyruar t’ju shpreh e të bëj publik shqetësimin për Vendimin nr. 9/2021, të Gjykatës Kushtetuese, e cila me shumicë votash (5-2), ka rrëzuar kërkesën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 50 (pikat 1 dhe 2) të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Neni 162 dhe 163/b i Kushtetutës, përcaktojnë se, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ka për detyrë të kontrollojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit prej 3-vitesh (15.02.2018) kishte paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se neni 50 (pikat 1 dhe 2) i ligjit nr. 68/2017, që parashikon se, veprimtaria financiare dhe zbatimi i buxhetit vjetor të njësive të vetëqeverisjes vendore i nënshtrohet çdo vit auditimit të jashtëm si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë, cenon veprimtarinë e KLSH-së dhe kompetencat e këtij organi të parashikuara nga neni 162-163 të Kushtetutës, duke e barazuar këtë institucion (KLSH-në) me veprimtarinë e audituesve të jashtëm privatë.

Pavarësisht se audituesi i jashtëm ligjor është një profesion që liçensohet sipas ligjit, sërish është antikushtetuese që me ligj të barazohet roli, niveli dhe kompetencat e këtij profesioni me ato që Kushtetuta ia atribuon vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Republikën e Shqipërisë.

Në thelb, dispozitat ligjore të kundërshtuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, cenojnë pavarësinë funksionale dhe organizative të këtij organi, pasi nga zbatimi i tyre, lind detyrimi i KLSH-së për auditimin financiar çdo vit të të gjitha njësive të qeverisjes vendore, ç’ka është relatuar se bëhet praktikisht i pamundur për t`u përmbushur, duke i hapur kështu rrugë vetëkontrollit të pushtetit vendor nga auditues të jashtëm privatë.

Vendosja e KLSH-së në një vështirësi të tillë për të përmbushur me cilësi detyrat e tij kushtetuese, krijon një situatë ku përmes një neni të ligjit, kufizohet veprimtaria kushtetuese e KLSH-së, për ta penguar atë që të kontrollojë mënyrën e përdorimit të fondeve publike nga njësitë e qeverisjes vendore.

Ekziston rreziku që pushteti vendor duke përdorur dispozitën e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me argumentin fiktiv se “i duhet të auditohet çdo vit” dhe brenda një periudhe të caktuar, mund të aktivizojë menjëherë vetëkontrollin e veprimtarisë financiare me auditues të jashtëm (privatë), të cilët liçensohen e monitorohen nga qeveria, e cila realisht ka fuqi kontrolli e mbikëqyrjeje ndaj tyre.

Ky rrezik shtohet akoma edhe më shumë në kushtet kur siç dhe ju jeni në dijeni, pushteti qendror dhe ai vendor, zotërohet 100 % nga e njëjta forcë politike (Partia Socialiste), e cila përmes votimeve një partiake të realizuara në qershor 2019, de facto, ka emëruar të deleguarit e saj politikë si Kryetarë të Bashkive dhe të gjithë Këshillave Bashkiakë në vend, përmes një procesi antikushtetues votimesh, të realizuara pa garë, pa datë zgjedhjesh të caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës.

Kjo situatë ku ndodhet vendi, e që për më tepër rëndohet përmes zbatimit të nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, përmban në thelb rrezik të lartë për dëmtimin e interesave të shtetit, pasi mund të përdoret bashkarisht nga Qeveria dhe Kryetarët e Bashkive, që të sigurojnë prej audituesve të jashtëm privatë, Raporte Auditimi me rezultate fiktive për të mbuluar shkeljet e rënda që ata kanë kryer, apo edhe më keq, për të mbuluar veprimet kriminale të shpërdorimit të fondeve dhe pasurisë publike, që pushteti vendor në bashkëpunim me atë qendror, mund të ketë konsumuar në këto vite të fundit, duke shmangur kështu kontrollin nga KLSH dhe dhënien e llogarisë përballë organeve të drejtësisë.

Mbajtja në jetë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, që me të drejtë është kundërshtuar nga KLSH:
– Cenon drejtpërdrejtë kompetencat kushtetuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke pamundësuar ushtrimin e tyre;
– Krijon terren që kjo dispozitë të keqpërdoret në praktikë për të mbuluar shpërdorimin e fondeve publike në njësitë e vetëqeverisjes vendore;
– Cenon hapësirën e veprimit për auditim të KLSH-së;
– Rrit kostot për buxhetin e shtetit, në nivel vendor, pasi për çdo auditim të jashtëm, pushteti vendor përveçse mund të fshehë shpërdorimet e fondeve publike, do të kryejë edhe pagesën përkundrejt audituesve të jashtëm sipas honorareve të vendosura për përfitimin e këtyre shërbimeve.

Presidenti i Republikës, përmes këtij qëndrimi, shpreh shqetësimin e thellë për këtë çështje, e cila edhe pse kishte 3-vite që priste të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk i dha një zgjidhje të drejtë dhe kushtetuese, mbrojtjes së interesit publik, dhe as nevojës ekstreme që ka vendi sot për ruajtjen e pacenuar të financave publike.

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar as kërkesën e KLSH-së që të thërriste në këtë gjykim Institucionin e Presidentit të Republikës si palë e interesuar.

Në përmbushje të funksionit dhe rolit të tij kushtetues, Presidenti ka interes për çdo çështje që lidhet me kushtetutshmërinë e kuadrit rregullator, dhe jo vetëm, dhe kur prezenca e tij në gjykim kërkohet prej palëve në proces. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës kishte shprehur zyrtarisht vullnetin për të marrë pjesë në këtë gjykim, përmes shkresës me nr. prot. 754/1, datë 23.02.2021, për të cilën ju keni qenë në dijeni, pasi është administruar si provë në gjykim, sjellë nga ana e KLSH-së.

Gjykata Kushtetuese, duke mos pranuar kërkesën e KLSH-së për thirrjen e Institucionit të Presidentit të Republikës në gjykim, nuk ka marrë parasysh rolin që ka Presidenti i Republikës në procesin legjislativ, ashtu dhe në gjykimet kushtetuese.

Në mbështetje të nenit 134 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, përfaqëson një subjekt me legjitimitet të pakushtëzuar në kërkimet kushtetuese.

Si i tillë, Presidenti i Republikës jo vetëm që ka të drejtë të kërkojë kontrollin kushtetues të çdo ligji, por nga ana tjetër ky legjitimitet nuk ndryshon, dhe as pakësohet, edhe në rastet kur kërkues është një tjetër organ kushtetues si KLSH, i cili për çështjen konkrete, ka vlerësuar pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në gjykim si të domosdoshme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomiko-financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet t`i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

Presidenti i Republikës gjen rastin t’i shprehë institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbështetjen e tij të plotë, për përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar me qëllim që veprimtaria e këtij organi të mos cenohet, por të realizohet në mënyrë sa më efikase e të pandikuar, edhe pse një normë ligjore si ajo e kundërshtuar, vijon të ngelet në fuqi.

Në situatën ku ndodhet vendi, ku abuzimi me pushtetin dhe financat publike është kthyer në një fenomen masiv, si në pushtetin qendror dhe në atë vendor, bëhet e domosdoshme që të mbyllen të gjitha shtigjet për ata Kryetarë Bashkie të emëruar, që kanë shpërdoruar fondet dhe pasurinë publike, e që mund të përpiqen për të mbuluar paligjshmëritë e kryera deri më tani.

Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese, nuk arriti të vlerësojë objektivisht kërkesën e KLSH-së, në raport me kontekstin aktual të vendit, përputhshmërinë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me Kushtetutën dhe parimet e mbrojtura prej saj, duke lënë një shteg hapur për abuzim me interesin publik dhe justifikimin e kapjes së shtetit.

Pesë anëtarëve të Gjykatën Kushtetuese, që me votat e tyre rrëzuan kërkesën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kujtoj përmbajtjen e nenit 162 pika 1, dhe 163 të Kushtetutës.

“Neni 162
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

Neni 163
Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:
a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor;
c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”.

Këtyre dy dispozitave të Kushtetutës sonë, duhej t`u referohej shumica në Gjykatën Kushtetuese, për të marrë një vendim të drejtë, gjë të cilën nuk ka mundur ta bëjë. Nga ana tjetër, gjej rastin të falenderoj dy anëtaret e tjera të kësaj gjykate, të cilat edhe pse të gjendura në pakicë, edhe në këtë vendimmarrje, si në shumë të tjera, kanë reflektuar përgjegjshmëri, integritet, profesionalizëm dhe pavarësi duke shprehur qëndrimin e tyre kundër vendimit të shumicës.

Për këto arsye, dhe me shqetësimin e thellë për situatën aktuale në vend, i kërkoj Gjykatës Kushtetuese, si instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, që të përmbushë rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë, në mënyrë të pavarur, të pandikuar, me kurajo e përgjegjshmëri të plotë, duke u distancuar sa më shumë nga ndjesia personale e secilit anëtar përkundrejt qëndrimit për çështje konkrete, objekt gjykimi, të organit që i ka përzgjedhur në këtë detyrë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe procedurës së ndjekur prej tij.

I kërkoj Gjykatës Kushtetutese që t`i bindet vetëm Kushtetutës, dhe askujt tjetër.

Lidhur me këtë ju garantoj se, si President i Republikës, do të ofroj të gjithë mbështetjen time, në dhënien e drejtësisë kushtetuese, për ta mbajtur Gjykatën Kushtetuese larg presioneve politike, edhe pse aktualisht pjesa tjetër e strukturës kryesore të shtetit (si parlamenti dhe qeveria) jo vetëm që nuk angazhohen për mirëfunksionimin dhe mbrojtjen e rendit juridik të shtetit tonë, por kanë bërë dhe po bëjnë çdo gjë, si përmes procesit legjislativ, ashtu dhe keq qeverisjes, duke vënë në rrezik permanent në shumë raste interesat kombëtare, interesin publik, sovranitetin e vendit dhe pluralizmit politik, e duke e kthyer vendin tonë, në një vend ku demokracia të njihet vetëm në letër, ndërsa në praktikë të ekzistojë një regjim autokratik një partiak.

Përmes kësaj letre, i kërkoj gjithashtu Kontrollit të Lartë të Shtetit që të angazhojë të gjitha burimet njerëzore për të realizuar një kontroll të plotë të mënyrës së përdorimit të fondeve publike nga i gjithë pushteti vendor, derisa Kuvendit të Shqipërisë dhe pushtetit vendor t`i kthehet legjitimiteti i plotë pas datës 25 prill 2021, për të rimarrë në shqyrtim këtë çështje kaq delikate të krijuar nga neni 50, i ligjit nr. 68/2017, i miratuar pa vëmendjen e merituar të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Jam i bindur se atë që nuk mundi ta realizojë Gjykata Kushtetuese, do ta realizojë Kuvendi i Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 25 prillit, i cili përpos shumë detyrave të tjera për rivendosjen e shtetit të së drejtës, garantimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, do të ndërmarrë pa asnjë vonesë edhe nismën legjislative për ndryshimin e nenit 50 të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Sinqerisht,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META


© Panorama.al

E BUJSHME/ Ronaldo shtyn Pirlon të largohet, tek Juventusi projektojnë rikthimin e madh në pankinë

0

Në shtëpinë e Juventusit janë ditë të nxehta, jo vetëm sepse luajnë ditën e nesërme sfidën e prapambetur ndaj Napolit, por sepse projekti i nisur nga trajneri Pirlo po fillon të ketë dyshimet e saj.

Duke parë rezultatet, pozicioni i Pirlos është në dyshim të madh dhe po projektohet rikthimi i madh i Masimiliano Alegrit. Sipas medias spanjolle “Don Balon”, edhe Kristiano Ronaldo i ka dhënë dritën jeshile kësaj tratative. Edhe pse Andrea Anjeli sigurisht nuk ka nevojë për miratimin e Ronaldos për të marrë vendime në lidhje me klubin, sigurisht fjala e yllit portugez mund të peshojë në kontekstin e një ndryshimi të mundshëm në një nivel teknik para përfundimit të sezonit.

Dhe në Spanjë nuk kanë dyshime në lidhje me këtë çështje, duke raportuar mbështetje të plotë nga Ronaldo për kthimin e mundshëm të Alegrit në krye të Juventusit. Një opsion që për momentin mbetet ende në prapavijë, por që qëndron pezull në Vinovo për disa kohë duke patur parasysh eliminimin nga Champions, situatën e renditjes dhe paraqitjet më të fundit të skuadrës. Një situatë për tu trajtuar me kujdes në ditët në vijim. Mbi të gjitha sepse ndeshja ndaj Napolit sigurisht që do të jetë një udhëkryq themelor jo vetëm për zonën Champions, por edhe për të ardhmen e Pirlos.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

“Njëqind dështimet e Ramës”/ Basha: Shqiptarët më të penalizuar nga korrupsioni! Paguajnë më shumë për shërbimet publike sesa rajoni

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka renditur një tjetër dështim të kryeministrit Edi Rama.

Në rrjetet sociale, Basha thotë se shqiptarët janë qytetarët më të penalizuar nga korrupsioni, pasi paguajnë tarifat më të larta për shërbime.

“Në cilin vend të rajonit qytetarët janë më të penalizuar nga korrupsioni? Përgjigja Shqipëria. Shqiptarët paguan tarifa korrupsioni për shërbimet publike tre herë më shumë se në rajon”, thuhet në postimin e kreut të PD.

Basha kujton gjithashtu se nga zgjedhjet e 25 prillit na ndajnë edhe 18 ditë.

© Panorama.al

VIDEO- “Orari mësimor do të shtrihet deri në 16:00”/ Basha me të rinjtë në Vaun e Dejës: Rama mburret se ka hapur shkolla, por rezulton se…

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri të ditur se kur të vijë në pushtet, në fushën e arsimit do të bëjë që orari mësimor të shtrihet deri në orën 16:00. Deklarata e kreut të PD u bë gjatë një takimi me të rinjtë e Vaut të Dejës.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se pas 25 prillit mësuesve do t’u kthehet dinjiteti, pasi do të rriten pagat dhe investimet në arsim do të rriten.

“Në fushën e arsimit do të sjellim në radhë të parë, rritjen e pagave për pedagogët, për mësuesit dhe për arsimtarët duke përfshirë dhe pedagogët e universiteteve. Do të sjelli shtrirjen e orarit mësimor deri në orën katër që është orari i përfundimit të punës për prindërit, nuk do të bëhet menjëherë në të gjithë vendin po do të fillojë në zonat rurale dhe në qytetet e vogla, aty ku siç e shpjegove fare mirë ti hendeku me qytet e mëdha është rritur. Aty do të fillojmë të investojmë që shkollat të kthehen në tempuj të dijes, të formimit, të kulturës, të sportit dhe kjo do të kërkojë në radhë të parë rekrutimin e më shumë mësuesve. Kjo është një mesazh i mirë për qindra dhe mijëra të rinj që kanë përfunduar pedagogjinë dhe që sot pyesin se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati tha ndër të tjera, se në vend janë mbyllur 400 shkolla për shkak të shpopullimit dhe largimit të të rinjve.

“Mburret se ka hapur shkollat por në fakt e vërteta është që nën Edi Ramën Shqipërisë i janë mbyllur mbi 400 shkolla sepse Shqipëria është shpopulluar sepse familjet janë tkurrur sepse çiftet e reja bëjnë më pak fëmijë, sepse vetëm 8 vite 500 mijë janë larguar në emigracion. Pse nuk kanë tableta nxënësit, ndonëse ne kemi një vit që kur filloj pandemia dhe ju thamë merrni masa për mësimin online, mësimin digjital. Që do të thotë të pajisen me tableta nxënësit, studentët, përgatitet platforma me anë të së cilës do komunikohet me ta. Çfarë thonë studimet e bëra nga grupet e ndryshme? 90% e nxënësve dhe 80% e studentëve marrin mësim nga celulari sot, sa mund të mësosh nga celulari. Po atë internetin e celularit kush e paguan, fermeri që i kalbet produkti dhe nuk e shet dot apo babai që e sjell rrogën në shtëpi pasi paguan faturat e kripura dhe taksat nuk i mbeten për të ushqyer fëmijët, po fëmijët e të papunëve apo të personave me aftësi të kufizuara”, tha Basha.

© Panorama.al

Vaksina kineze, gënjeshtrat politike dhe Shqipëria në mes

0

ARTUR ZHEJI

Marshalli kërkon t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Duket qartë që nuk jeton dot pa pushtet, duket qartë që nuk mund të ketë një jetë tjetër në koordinatat e tija ekzistenciale, përveç kësaj jete që ka.

Mirëpo, ky është problemi i Marshallit dhe meqë është problemi i Marshallit, Ay bën ç’është e mundur që të shndërrohet edhe në problemin tonë… popullor…

Nga “biri plëngprishës” i ish-elitës komuniste, që sfidonte me xhinse dhe me sy të zgavruara nga jeta e natës, politikën e burokratëve të hekurosur të të “Kuqve bolshevikë” dhe demode, Ay, Marshalli, pra, po kolaudon elektoralisht në publik, një personazh tjetër…

Sot, pra, Ay, vetëpropozohet, si “Babloku i popullit”, si kujdestari zemërdhembshur i tij… Dhe e luan këtë rolin e Bablokut zemërpulë mrekullisht ky Marshalli, sot me petk Kujdestari të mbarë popullit e përtej vetë popullit!…

Dhe unë tek e shoh gjatazi dhe gjerazi, në kohë dhe në hapësirë, për shkak të punës që bëj si gazetar, shpesh rrëmbehem e mallëngjehem nga interpretimi i tij mjeshtëror.

Porse zgjohem hidhtas kur kujtoj koncesionet dhe shpërdorimet e thesarit të popullit, përmes tenderëve të paturpshëm për nga guximi i vjedhjes.

Kur më dalin para sysh milionat e trasha të eurove për një kilometër, llokmat e rënda që rrëmbejnë Oligarkët nga dora e Marshallit, sot “zemërdredhur”!…

Duke futur thellë duart në xhepat e shpuar, pikërisht të atyre që sot mbajnë radhën plot ankth për t’u vaksinuar me vaksinën kineze…

Sepse, në qoftë se nuk e keni harruar, ka ligje të rrepta edhe për vaksinimin e bagëtisë, pavarësisht se ajo, pasi trashet ca nga dhjamët, shkon duke blegëritur nën zë për t’u therur… Te ne, logjika është pak ndryshe.

Duan të të mbajnë gjallë sa të munden që të të mjelin për sa kohë je gjallë…

A do të na japë begatinë dhe mbijetesën e dëshiruar vaksina kineze sot?! Ashtu si dikur na jepte krenari dhe pallëzhveshje të trimëruar, në udhëkryqin e kohërave Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Çeliku i Partisë? Ku i dihet?! Ndoshta një Pallëzhveshje e Re na pret, me Marshallin në krye.

Dhe ne shqiptarët e trimëruar nga vaksina kineze dhe nga udhëheqja e Marshallit sypatrembur mund t’i themi nesër edhe Perëndimit mbarë se: “Marshalli e mprehu shpatën edhe një herë/ Për situatën!…”.

Ne jemi një popull që i kemi pasion të pavetëdijshëm, edhe për eksperimentet më të çuditshme sociale… Lum ne!

© Panorama.al

Vota e emigrantëve/ Majko i kundërpërgjigjet Bashës: Përfaqësuesit tuaj në KQZ refuzuan ta miratonin. Gëzuar Ditën e gënjeshtrave!

0

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i është përgjigjur Partisë Demokratike në lidhje me votën e migrantëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Majko shprehet se në janar të këtij viti, përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kalojnë aktet nënligjore për votën e shtetasve jashtë vendit.

“Gëzuar ditën e gënjeshtrave! Votoni ndryshimin dhe blini librin “Misioni im”! Urime”, shkruan Majko duke thumbuar kryedemokratin Basha.

Partia Demokratike zgjodhi datën 1 PRILL për të akuzuar me deklaratë https://www.syri.net/…/do-sigurojme-votimin-elektronik…/ se qeveria “ka dështuar me votën e emigrantëve”.

Që në muajin janar të këtij viti, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve refuzojnë të kalojnë aktet nënligjore për votën e shtetasve jashtë vendit (jo votën e emigrantëve”) Me gjithë premtimet se do “studjonin” projektet e shkruajtuara në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e organizatave në diasporën shqiptare, patën paturpësinë të kishin si përgjigje heshtjen refuzuese!

Gëzuar ditën e gënjeshtrave! Votoni ndryshimin dhe blini librin “Misioni im”! URIME!”, shkruan Majko.

Deklarata e Bashës

Gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar sot me një emigrant, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri thirrje për kthimin e tyre në atdhe për të votuar.

“Po të them ty dhe çdo emigranti shqiptar, qeveria jonë do bëjë realitet. Me votimin elektronik, çdo shqiptarë do mund të votojë, përfshirë të gjithë shqiptarët e diasporës. Të gjithë bashkë më 25, numrin 9”, tha më herët Basha.

© Panorama.al

Peshëngritje/ Shqipëria përzgjidhet vend organizator për Europianin U-17 dhe U-23

0

Në mbledhjen e bordit të Federatës Europiane të peshëngritjes që u zhvillua ditën e sotme në Moskë u morën disa vendime të rëndësishme, ndër to u përcaktua edhe kalendari i aktiviteteve për vitin e ardhshëm.

Me 100% të votave nga anëtarët, Shqipëria u përzgjodh si vend organizator për të pritur Kampionatin Europian 2022 për moshat U-17 dhe U-23, aktivitet që do të mbahet tetorin e vitit të ardhshëm në Tiranë.

Lajmin e ka dhënë vetë presidenti i Federarës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza nëpërmjet një lidhje telefonike nga Rusia për “Panorama Sport”

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

A është ky brezi i humbur i Coronës? DW: Lumë kërkesash e pak vende pune për të diplomuarit

0

Situata e punësimit për të diplomuarit e universiteteve është shumë e vështirë në krizën e Coronës. Ata thonë, se dërgojnë pa fund aplikime po e kanë gati të pamundur të gjejnë punë. A është ky brezi i humbur i Coronës?

Qindra aplikime ka dërguar 24 vjeçari Jordi Battlo nga Barcelona në muajt e fundit, tani “kam ndalur së numëruari”, thotë ai. Refuzimet janë kthyer në rutinë për inxhinierin e ekonomisë. “Kur sipërmarrjet as nuk të marrin konsideratë, kjo më krijon përshtypjen, se gjithçka kam bërë nuk vlen”, thotë Battlo. Në korrik 2020 ai përfundoi masterin në Business School në Madrid dhe bëri vetëm një praktikë, tani është i papunë.

Sipërmarrjet kanë ndalur punësimin në krizën e Coronës

Jordi Battlo bën pjesë tek ata miliona absolventë të rinj në të gjithë Europën që duhet të kërkojnë vendin e tyre në një treg pune të tejmbushur. Sipas Zyrës së Statistikave në Bashkimin Europian, Eurostat, papunësia e të rinjve në BE kap shifrën 17%, dhe me këtë është dy herë më e lartë se kuota e përgjithshme e papunësisë. Në tetor 2020 Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD paralajmëroi që Europa rrezikon të lerë mbrapa një brez të gjithë të rinjsh. Në vitin e pandemisë jo vetëm që u ndalën punësimet, por edhe u rrit papunësia, një lumë kërkesash përballet me shumë pak vende të hapura pune, theksojnë ekspertët.Jordi Battlo nga Spanja

Numri i kërkesave është “rritur ndjeshëm”

Qindra kilomtra larg Barcelonës në Dublin rri ulur dhomën e fëmijërisë Georgia Burns, 23 vjeç. Që nga shtatori i vitit 2020, kur ajo përfundoi masterin në menaxhim në University College London ajo ka të njëjtat shqetësime si Jordi Battlo. “Kur e fillova masterin mendoja, ok, kur të përfundoj studimet do të gjej punë. Tani erdhi pandemia dhe unë bëj një praktikë me orar të reduktuar me pagesë minimale.”

Kurse Jordi Battlo nga Barcelona beson, se për ata që përfundojnë studimet është bërë gati e paarritshme gjetja e një vendi pune. “Për çdo vend pune ka dy herë më shumë aplikues se më parë. Madje edhe për punët ku kërkohen fillestarë aplikojnë tani persona me dy ose tre vite përvoje punë.”

Këtë zhvillim e kanë vënë re edhe punëdhënësit. “Numri i kërkesave për punë është rritur në mënyrë masive”, shprehet për Deutsche Wellen, Oliver Zischek, drejtues i sektorit të burimeve njerëzore tek Deloitte, Gjermani. Në vjeshtën e vitit 2020 kjo sipërmarrje ka marrë 425 më shumë aplikime se më parë. Kudo në Europë zyrat e Deloitte përjetojnë një fluks kërkesash.

Symbolbild | Jobsuche | Bewerbungsunterlagen sichten

Rëndim i gjendjes psikologjike

Vështirësia për gjetjen e një vendi pune dhe kërkimi i vazhdueshëm pa sukses ka pasoja psikologjike. Sipas një sondazhi të Organizatës Botërore të Punës dhe Forumit Europian për Rininë nga viti 2020, rreth 50% e të rinjve në të gjithë botën tregojnë shenja të frikë dhe depresionit. Edhe 23 vjeçarja Burns nga Dublini e ka të vështirë të ruajë shpresën. Georgia Burnsin e ndihmojnë tani shëtitjet me miqtë që po ashtu janë në kërkim të punës. “Të ndihmon kur ke dikë që e kupton se si është puna”, thotë ajo.

Ekspertët besojnë, se problemet e brezit të ri do të kenë pasoja afatgjata. “Mesazhi që ne marrim është që gjithçka do të normalizohet. Por rreziku i një brezi të humbur nuk është i përkohshëm”, thotë Silja Markkula presidente e Forumit Europian të Rinisë me qendër në Bruksel. Ajo i trembet faktit që për një kohë të gjatë të ardhurat e të rinjve do të mbeten të ulta. Edhe optimizmi mund të bjerë.

Ide në kohë krize

Esther Jardim nga Londra që i përfundoi studimet në vitin 2009 gjatë krizës globale financiare ka mirëkuptim për absolventët. Por nëse e shikon historinë e saj, ajo shikon edhe avantazhet që sjell një rënie ekonomike me vete. Kur ajo në vitin 2010 merrte vetëm refuzime të kërkesave për punë, Esther vendosi të bëjë një veprim radikal. Me një tabelë në gjoks ku shkruhej biografia e saj e punës ajo ecte nëpër lagjen High Holborn. Ky aksion i solli asaj 30 intervista për vende pune dhe një punë në një agjenci të madhe publicitare në Londër. Falë mediave sociale gjendja ka ndryshuar thotë ajo. “Mediat sociale kanë ndryshuar barrierat. Ju mund t’u shkruani drejt njerëzve të njohur në një firmë”, thotë ajo për Deutsche Wellen. /DW/

© Panorama.al

Dy vdekje të papritura në Shqipëri/ Mjeku Dasho i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë: Të pezullohet fushata e imunizimit me CoronaVac deri sa…

0

Mjeku Erion Dasho i është drejtuar me një rekomandim Ministrisë së Shëndetësisë, që të pezullojë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac, për shkak të dy vdekjeve të papritura që e kanë kryer vaksinën.

Mjeku thotë se njërin prej rasteve e ka investiguar personalisht, kësisoj i rekomandon Ministrisë dhe Komitetit të Covid dhe Imunizimit që të pezullojnë vaksinimet derisa vdekjet të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.

Sjellim në vëmendje që javët e fundit në Shqipëri ka nisur imunizimi masiv me vaksinën kineze Sinovac (e njohur ndryshe si CoronaVac).

DEKLARATA E PLOTË

REKOMANDIM DREJTUAR MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE ÇËSHTJEVE SOCIALE!

Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.

Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.

Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm!

Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht.

© Panorama.al

ANALIZA/ Andi Bushati: Dy mitingjet, të gjithë bëjnë fushatë, të gjithë në opozitë

0

NGA ANDI BUSHATI

Edi Rama ka përdorur një hile meskine për të krijuar fabulën fjalimit të hapjes së fushatës elektorale. Kur zbriti nga avioni i Erdoganit, në Rinas, bashkë me sasinë e sapo sjellë të vaksinave kineze, kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes së një gazetreje, se si do të organizonte mitingun e sotëm, kur ligji lejon vetëm grumbullimin e një numri të kufizuar personash.

Eshtë tejet interesante të shikohet përgjigja që ai dha në aeroport dhe ligjërata që mbajti disa orë më pas në sheshin Skënderbej. Vërtet kufizimet nga pandemia nuk lejojnë më shumë se dhjetë vetë, por është çështje fantazie nëse ti i vendos dhjetë këtu dhe dhjetë të tjerë 20 cm më larg, shpjegoi ai. Kjo deklaratë, në fakt, ishte një sinjal i qartë se partia në pushtet nuk do ta zbatonte ligjin (20 cm largësi nuk do të thotë asgjë), se ajo, ashtu sikurse bën gjithmonë, do të shfrytëzonte një truk për ti’u mbivendosur atij.

Por, këtë radhë dredhia kishte qëllim tjetër. Më shumë sesa një shkelje syri ndaj të tijëve për të mos përfillur kufizimin e grumbullimit në shesh, deklarata e shefit të qeverisë, në Rinas, qe një kurth për opozitën. PD me aleatët ranë në këtë çark. Duke kujtuar se rilindasit do të tuboheshin në shesh për të treguar forcë, ata e shpërfillën planin fillestar sipas të cilit patën marrë edhe lejen, atë për tu tubuar sipas modelit të fushatës së Bidenit, secili në makinën e vet. Të yshtur nga kompleksi opozitar se mos pushteti demostron shenja triumfi, ata u përgjigjën me të njëjtën monedhë.

Në fakt kurthi ku ata ranë, ishte ai që kërkonte Rama.

Në fjalimin që mbajti në miting, Rama foli krejt ndryshe nga ajo që tha në aeroport. Ai e shpenzoi gati një të tretën e ligjëratës duke komentuar pamjet e sheshit Skënderbej dhe ato të atij Nënë tereza. Ai vuri në dukje antitezën mes palës që zbaton distancat dhe asaj që dyndet kala dibrançe. Ai u mor me fotot dhe imazhet e kandidatëve të PS të vendosur në hapsira të mëdha që bënin Kontrast me militantët e opozitës që thyenin çdo ligj.

Duhet pranuar se në ngritjen e kësaj pusie Rama doli fitimtar. Dhe kaq iu desh që, kurthin që krijoi vetë ,ta shndërronte në lejtmotivin e ligjëratës që mbajti. Kjo i shërbëu si leva e Arkimedit për të folur për Lulin, Ilirin, Monikën që nuk zbatojnë ligjin, që kanë difiçite qyetatrie, që vendosin interesin e tyre mbi jetën e njerëzve, për të arritur në konkluzionin se sa do të kishte vuajtur Shqipëria, në një situatë imagjinare, kur opozita e sotme do të kish qenë në pushtet, gjatë tërmetit dhe pandemisë.

Parë në pamje të parë, u duk sikur Rama doli sërish më qerrata, i’a hodhi kundërshtarëve me të cilët konkurronte në të njëjtin qytet, në të njëjtën ditë dhe orë për të njëjtin qëllim.

Por, në fakt ai s’bëri asgjë më shumë sesa krijimin e një fabule të re për të përsëritur një refren të vjetër: për të sharë opozitën dhe për ta lënë fajin tek ajo.

E kështu ai përsëriti një motiv që po kthehet në grotesk në këtë fushatë, ku të gjithë sillen si opozitë. Opozitë bëjnë paritë e reja, të njëjtën gjë bën opozita reale, që prej dy vjetësh nuk është as parlamentare dhe kulmi i kulmeve, opozitë bëjnë edhe ata që kanë dy mandate në pushtet dhe kontrollojnë gjithçka në këtë vend. Ky, në fakt, është problemi real, që po përvijohet këto zgjedhje: a duhet që dikush të japë llogari?

Dhe kur ekuacionin e kthen kështu zgjidhja është më e thjeshtë, sepse sado intuitiv apo diabolik të tregohet Rama, kur njerëzit krijojnë distancën e nevojshme prej manovrave të tij, ata nuk i shmangen dot pyetjes themelore: kë mbajtëm mbi shpinë këto tetë vite?

© Panorama.al

- Advertisement -

Get in touch

0FollowersFollow
0FollowersFollow
2,507FollowersFollow

Recent Posts

Most Popular

Kontrolli i financave të qeverisjes vendore nga KLSH, Meta letër Gjykatës Kushtetuese: Ekziston rreziku...

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit me shumicë votash ka rrëzuar kërkesën e...

E BUJSHME/ Ronaldo shtyn Pirlon të largohet, tek Juventusi projektojnë rikthimin e madh në...

Në shtëpinë e Juventusit janë ditë të nxehta, jo vetëm sepse luajnë ditën e nesërme sfidën e prapambetur ndaj Napolit, por sepse...

“Njëqind dështimet e Ramës”/ Basha: Shqiptarët më të penalizuar nga korrupsioni! Paguajnë më shumë...

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka renditur një tjetër dështim të kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale, Basha...

VIDEO- “Orari mësimor do të shtrihet deri në 16:00”/ Basha me të rinjtë në...

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri të ditur se kur të vijë në pushtet, në fushën e arsimit do të bëjë...

Vaksina kineze, gënjeshtrat politike dhe Shqipëria në mes

ARTUR ZHEJI Marshalli kërkon t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Duket qartë që nuk jeton...